
Ka shpresë që lufta të marrë fund. Ka përfunduar takimi i delegacioneve negociatore të Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll të Turqisë.
Mbledhja, që u mbajt në zyrën presidenciale Dollmabahçe, ka përfunduar pas takimit të krerëve të delegacioneve, si dhe pas takimit mes delegacioneve.
Negociatorët ukrainas kanë ndarë disa detaje të asaj që u mbulua në bisedimet e sotme midis Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll, takimi i parë kokë më kokë i dy delegacioneve në më shumë se dy javë.
Ukraina propozoi miratimin e statusit neutral në këmbim të garancive të sigurisë, që do të thotë se nuk do t’i bashkohej aleancave ushtarake ose nuk do të priste baza ushtarake, u thanë gazetarëve negociatorët ukrainas.
Propozimet do të përfshijnë gjithashtu një periudhë konsultimi 15-vjeçare për statusin e Krimesë së aneksuar dhe mund të hyjnë në fuqi vetëm në rast të një armëpushimi të plotë, raporton Reuters.
Midis tyre:
– Negociatat dypalëshe për një periudhë 15-vjeçare për statusin e Krimesë dhe Sevastopolit, me kusht që të ndalohet përdorimi i forcave ushtarake; – Moshyrja e Ukrainës në aleancat e huaja ushtarake dhe vendosja e bazave ushtarake të huaja në territorin e saj; – Apel për vendet garantuese në rast se Ukraina bëhet objekt i agresionit ushtarak.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë thotë se Moska ka vendosur të “shkurtojë në mënyrë thelbësore aktivitetin ushtarak në drejtim të Kievit dhe Chernihiv” në mënyrë që “të rrisë besimin e ndërsjellë për negociatat e ardhshme për të rënë dakord dhe nënshkruar një marrëveshje paqeje me Ukrainën”.
Takimi midis dy delegacioneve ruse dhe ukrainase që u zhvillua sot në Stamboll ka përfunduar, njoftoi ambasada e Ukrainës në Turqi. Delegacionet u takuan në Stamboll për të diskutuar për një armëpushim dhe fund të konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.
Bisedimet zgjatën rreth katër orë me pushime të herëpashershme. Është e paqartë nëse do të vazhdojnë për një ditë të dytë, raporton Reuters.