Rivaliteti i madh që ekzistoi mes këngës së Alban Ramosajt (Theje) dhe Ronela Hajatit (Sekret) në “Festivalin e Këngës” duket se ka ndikuar jo pak në marrëdhënien e tyre.
Këngëtari jo vetëm që nuk e mbështeti, të paktën publikisht, përfaqësuesen e Shqipërisë në Festivalin Europian, por është i sigurt se po të shkonte ai do e digjte jo vetëm në finale, por edhe në gjysmëfinale.
Blogeri Olti Curri ka publikuar në ‘Instagram’ një komunikim zanor nga Alban Ramosaj ku ai shprehet: “Më erdhi keq për Ronelën, ajo bëri më të mirën, po ç’të bësh. Kam qenë gjithë natën pa gjumë duke parë Eurovisioni. Nga ana tjetër për shembull po të isha unë në Eurovision, jo vetëm finale do kishim hyrë por edhe gjysmëfinalen do e kishim kall krejt. Gjithsesi ajo bëri më të mirën.”
Ndonëse nuk kaloi ne finale, Ronela është një nga konkurrentet më të komentuara jo vetëm të Shqipërisë por të Eurovision këtë vit. Që nga mbrëmja e djeshme ajo ka qenë kryefjalë e mediave sociale, duke marrë komente të shumta pozitive, por edhe kritika.
Në faqen zyrtare të Eurovision në Instagram njerëzit kanë shpërthyer në komente duke u shprehur se Ronela u vodh dhe se meritonte finalen. Bëhet fjalë për komentues pjesa më e madhe e të cilëve janë të huaj, e në fakt mbështetja e tyre ndaj Ronelës është kuptuar gjatë gjithë këtyre ditëve.
Nga ana tjetër, ka qenë veshja e saj ajo që ka shkaktuar sërish polemika. Mbrëmjen e djeshme Ronela u shfaq me një ‘body’ provokues ngjyrë argjendi shoqëruar me një pelerinë ngjyrë rozë dhe atlete. Ajo nuk e ndryshoi performancën e saj pavarësisht kritikave duke mbajtur të njëjtat lëvizje, përfshirë edhe prekjet në vende intime me balerinat.
Mediat italiane e kanë vlerësuar me 4 paraqitjen e saj duke mos e kursyer ironinë, teksa komentatorët e “RAI Uno” mbrëmjen e djeshme u shprehën se po të ishin në vendin e Ronelës do e kishin denoncuar silistin, që është Niko Komani.