Skandali i inceneratorëve: Kompania shqiptare zhyt edhe Zimbabven, akuza për aferë 300 milionë USD, anulohet marrëveshja

Një skandal i paprecedentë, wastegate, po shpaloset në Harare, Zimbabve, pasi një kompani e dyshimtë, GeoGenix BV, nënshkroi një kontratë të diskutueshme e cila bën që Qyteti i Harare të humbasë afërsisht 300 milionë dollarë nga paratë e taksapaguesve për fushë depozitimin e plehrave në Pomona. Kështu shkruan ZIM Morning Post, e cila sot njoftoi se zyrtarët kanë vendosur ti japin fund marrëveshjes që e cilësuan të dyshimtë, raporton noa.al, lexoni këtu.

Geo Pomona Waste Management Private Limited, e cila filloi pastrimin e tokës në vendgrumbullimin e Pomonës, do të duhet sipas marrëveshjes, të drejtojë vendin e menaxhimit të mbetjeve për 30 vjet, ndërkohë që do të paguhej nga këshilli i qytetit të Harare 40 000 dollarë amerikanë në ditë.

Kompania po ndërton një strukturë për menaxhimin e mbetjeve dhe një impiant për shndërrimin e mbeturinave në energji që mendohet të gjenerojë midis 16-22 MW tek impianti në Pomona, në Harare.

Kontrata e dyshimtë, shkruan media e Zimbabves, u nënshkrua nga ushtruesi i detyrës së kreut teknik të qytetit Harare, Inxhinieri Phakamile Moyo pa u konsultuar me kryetarin e bashkisë, ndërsa përfaqësuesi i vetëm i kompanisë me bazë në Holandë në Zimbabve është Delish Nguwaya i firmës Draxgate.

Ndërsa impianti i mbetjeve në energji është një projekt i mirëpritur, është kostoja prej 300 milionë dollarësh që e ka kthyer të gjithë projektin në një skandal me lartësi monumentale.

Hetimet nga Zim Morning Post zbuluan se GeoGenix BV, e njohur më parë si Integrated Energy BV është e lidhur me Mirel Mertirin.

Aranita Brahaj nga Open Data Albania veçon se “GeoGenix BV e regjistruar në Holandë është pronar i Inceneratorit të Tiranes. I regjistruar ne një regjister biznesi shell (guackë). Më 13 shkurt 2020, Integrated Energy BV ndryshoi në GeoGenix BV, raporton noa.al.

Zim Morning Post shkruan se Mertiri është një përfitues i diskutueshëm i dhjetëra kontratave shtetërore në Shqipëri për shkak të afërsisë së tij me liderët politikë dhe shton:

“Gjatë dekadës së fundit Mertiri ka arritur marrëveshje të diskutueshme – duke përfshirë marrëveshje koncesionare të diskutueshme me qeverinë e kryeministrit shqiptar Edi Rama midis 2014 dhe 2017 për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve – me vlerë qindra milionë euro.

Raportet e medias tregojnë se Mertiri qëndron pas një perandorie biznesi që përfshin një rrjet të gjerë kompanish të regjistruara në Shqipëri dhe në juridiksione offshore nën emrat e bashkëpunëtorëve të ngushtë.

Koncesionet e inceneratorëve janë më të diskutueshmet e një vargu të ashtuquajturave ‘partneritete publik-privat’ të ndërmarra nga qeveria e Edi Ramës dhe, sipas vlerësimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit të Shqipërisë, mund t’i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë më shumë se 350 milionë euro gjatë 30 viteve të ardhshme.

Marrëveshja shqiptare çoi në protesta masive në rrugë në Verri, një periferi pranë inceneratorit të mbetjeve jashtë kryeqytetit Tiranë, në janar 2018.

Protestuesit u sulmuan brutalisht nga policia. Protestuesit donin që marrëveshja të anulohej, duke argumentuar se kompanisë po i paguheshin shuma të mëdha parash, pavarësisht se bënte një punë të dobët, sipas Albanian Daily News.

Në dhjetor 2018, kryeministri shqiptar Edi Rama shkarkoi gjysmën e kabinetit të tij (14 ministra) në përgjigje të protestave masive. Ata përfshinin ish-ministrin e financave të vendit Arben Ahmetaj, i cili u identifikua nga shtypi se kishte ndikuar në marrëveshje për shkak të afërsisë së tij me Mertirin.

Mertiri është gjithashtu i lidhur ngushtë me Ilir Dedjar, pronari i Drax Consult Sagl, i cili u akuzua për xhiron e miliarda dollarëve në Zimbabve në atë që u bë e njohur si Covidgate.

Mertiri dhe Dedjar janë bashkëdrejtorë në një kompani të quajtur 3DDD Swiss Trading dhe kanë bashkëpunuar në një sërë kontratash të dyshimta.

Në kulmin e Covidgate Mertiri dhe Dedjar bënë një vizitë në Zimbabve dhe u dërguan në Shtëpinë e Shtetit për të takuar Presidentin Emmerson Mnangagwa nga ministri i atëhershëm i Shëndetësisë Obadiah Moyo. Përfaqësuesi i Drax në Zimbabve Delish Nguwaya shoqëroi gjithashtu dy biznesmenët e diskutueshëm. Nguwaya është dhe përfaqësuesi i vetëm i GeoGenix BV në Zimbabve.

Në Harare, GeoGeneix i është dorëzuar një marrëveshje fitimprurëse ku taksapaguesit e Harare do të duhet të paguajnë 40 000 dollarë amerikanë në ditë për minimumin 1000 tonë mbeturina në ditë.

Kjo kontratë vlen për 30 vjet që do të thotë se kompania do të mbledhë mbi 300 milionë dollarë ndërsa në të njëjtën kohë do të realizojë fitime nga energjia që do të gjenerohet dhe futet në rrjetin kombëtar.

“Është një kontratë e keqe dhe ne jemi kundër. Është nënshkruar përpara se ne të hynim në zyrë dhe po e sfidojmë atë”, tha kryetari i bashkisë së Harare, Jacob Mafume për Zim Morning Post.

“Harare ka nevojë për afro 3 milionë dollarë amerikanë për të pastruar ujin dhe ne nuk mund të kanalizojmë burimet financiare drejt kontratës së dyshimtë, në vend që të prioritizojmë çështjet e rëndësishme”, tha ai.

“Si mund ta paguajë qiradhënësi (këshilli i qytetit Harare) qiramarrësin (GeoGenix), kjo është absurde.

“Në vend të kësaj kompania duhet të paguajë qira për fabrikën e saj ose të blejë mbeturinat nga ne,” tha Mafume.

Këshilli i Qytetit të Harare ka pasur vështirësi në kryerjen e punëve publike si grumbullimi i plehrave, si dhe sigurimi i ujit të pastër për banorët e qytetit.

“Ne nuk kemi një shumë të tillë parash për të paguar GeoGenix,” tha Mafume.

Kush e fiton cmimin e BigBrother VIP 2?

    Votues: 4658

Rezultatet

Loading ... Loading …

Trending

- Advertisement -